WwW.Kumanovari-oo1.Tk
  Letersia Shqiptare
DISKURSI IDEOLOGJIK NË POEZINË SHQIPE TË GJYSMËS SË DYTË TË SHEKULLIT XX


Gjëma që iu përgatit poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, në fillim u shfaq në formë të këngës. Këngët partizane, të cilat më të shumtën kishin për autorë edhe poetë që i ishin bashkuar rezistencës antifashiste, paraqesin bërthamën e realizmit socialist, që do të inaugurohej më vonë si doktrinë zyrtare dhe që do të përpiqej të realizonte një diskontinuitet sa më të fortë ndërmjet vetes dhe traditës poetike shqipe dhe një izolim të letërsisë shqipe nga rrjedhat e tjera letrare në botë.

 

Meqë ishin intonim i një kauze çlirimtare, e cila doli fitimtare në fund të luftës, këngët partizane u ngulitën me efekte psikologjike dhe propagandistike në receptimin masiv të publikut, duke thyer refuzimin e natyrshëm të pjesës kritike të publikut ndaj diskursit ideologjik që po e atakonte traditën dhe shijet e saj.Tekstet e këngëve partizane të shkruara nga Andrea Varfi, Fatmir Gjata, Kolë Jakova, Qamil Buxheli, Shefqet Musaraj, e madje edhe Mehmet Shehu e Shefqet Peçi1, e filluan procesin e ndryshimit të funksionit estetik të tekstit dhe e promovuan atë si funksion ekskluzivisht ideologjik. Natyrisht, thyerja e rezistencës ndaj këtij funksioni të ri të poezisë, u shoqërua edhe me kanosje për thyerjes kafkash të atyre që tregonin më shumë vendosmëri në refuzimin e diskontinuitetit artistik dhe të izolimit që po promovohej zhurmëshëm dhe dhunshëm.

 

Këtu nuk do të bëjmë historinë e këtij procesi. Këtu vetëm do të identifikojmë disa manifestime konkrete poetike të krijuara me synimin që të dominonte diskursi ideologjik, e që mund të konsiderohen si përftesa legjitimuese të krejt doktrinës.

 

Sa për ilustrimin fillestar, po kujtojmë këtu se poezia e Ismail Kadaresë, “Shpjegim për librat Besianës së vogël”është potuajse e papërsëritshme përnga plasimi me efektivitet në “tabelën e mundësive letrare”2 që ofron doktrina e realizmit socialist.

 

Poezia “Shpjegim për librat Besianës së vogël”, spikatë një opozicion interesant sa u takon mënyrave të përdorimit të fjalëve, me nënkuptim për  vetë ambientin letrar, social dhe politik shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX. Referenca thotë se poetët hermetikë i harrojnë fjalët përditë e më shumë, krejt në kundërshtim me natyrën njerëzore. Ndërsa në ambientin shqiptar kjo harresë e fjalëve vinte nga autecensura dhe nga dhuna që rrinte pezull mbi përdoruesit e fjalëve jashtë normave të ngurtësuara ideologjike.

 

E kundërta e përdorimit me ngurrim dhe gati afazik të fjalëve, ishte poezia e realizmit socialist, e cila synonte të shkaktonte sa më shumë zhurmë dhe të  plasonte sa më shumë fjalë, madje fjalë sa më të pagdhendura, sikundër lë të kuptohet poezia programatike e Dritëro Agollit, “Poetëve që vijnë”. Kjo poezi e Agollit ka një përfundim që ia vlen gjithsesi të mbahet mend si një argument i paluajtshëm i diskursit ideologjik ndaj natyrës së vetë poezië, ku vlera e saj kundrohet si antipod i fjalëve të bukura:

 

Të na kishit parë si digjeshim pranë vajzave që donim!

Ç’fjalë të bukura u thoshim mbrëmjeve të arta!

Po ne s’kishim kohë që fjalët e bukura t’i botonim

Dhe shtypshkronjat i kishim për gjëra më të larta… 3

 

Diskursi ideologjik i poezisë së realizmit socialist ka futur në vargun poetik shqiptar shfytyrime pothuajse në të gjitha idetë, në motivet dhe temat e trajtuara dhe ka përdorur mjetet gjuhësore të shprehjes me një arbitraritet të skajshëm. Po ta shohim sot se si trajtohet brenda këtij diskursi ideologjik ideja e lirisë, mund të mbetemi të çuditur. Ajo barazohet me revolucionin komunist, duke e trajtuar tërë pjesën tjetër shumëshekullore të historisë kombëtare si një pritje të epilogut të lindjes së komunizmit:

 

Karvan i gjatë i maleve priste

Priste me vite, kish pritur me shekuj,

Ta printe përpara një udhëheqëës,

Priste Shqipëria

Partinë Komuniste. 4

 

Liria kombëtare si revolucion social, partia komuniste si sublimacion i të gjitha vlerave pozitive nacionale dhe Enver Hoxha si prijës i pagabueshëm dhe me përmasa mitologjike, janë në qendër të shumë poetëve të gjysmës së dytë të shekullit XX, që nga Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi,  Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Muzafer Xhaxhiu, e shumë e shumë të tjerë, me çka ata kanë kodifikuar këtë diskurs në pjesën më të zhurmshme dhe më jopoetike të poezisë shqipe.

 

Është krejt normale që kjo mënyrë e ideologjizimt të motiveve dhe të temave, ku theksi bie mbi emrin e partisë, të udhëheqësit, ose të armiqve të klasës, duke i dhënë poezisë orientim semantik njëdimensional, detyrimisht u orientua drejt poemës, drejt vargjeve të gjata, e me thyerje të forta, jo sipas organizimit semantik të vargut poetik, po sipas logjikës së një fjalimi para publikut. Poema me vargje të gjata e të thyera, me fragmentime të shumta, mbetet model i preferuar në rastet kur mesazhi adresohet më shumë si mesazh ideologjik se artistik. Nga kjo anë, si edhe nga nivele të shumta të tematikës dhe të ideve, poezia shqipe e realizmit socialist, ndërlidhet me poezinë sovjetike që ishte paradigma ideologjike e saj.

 

Nga ana tjetër, në këtë lloj poezie, ndodhi edhe një hibridizim me tematikën atdhetare, që i kishte rrënjët në poezinë shqipe të Rilindjes. Shenjat e historisë kombëtare, që nga humbëtirat e shekujve, shpalosen si evokime të lavdishme, por gjithnjë  në funksion të konfirmimit të lavdisë finale që kishte ardhur me fitoren e revolucionit. Kjo mënyrë e krijimit letrar, mundësoi komunikim masiv të poetëve me publikun, për faktin se publiku nuk e vërente qartë diskontinuitetin stilistik dhe ideor nga poezia e mëparshme shqipe. Por, ajo që është më vendimtare në këtë punë, ka të bëjë me   kushtet e izolimit të plotë dhe të presionit propagadistik e të represionit politik, që praktikohej gjithandej shoqërisë shqiptare. Në këto rrethana, lexuesi e shihte poezinë e tillë si formë më të zbutur të propagandës ideologjike zyrtare dhe vetë poetët si një pjesë më humane dhe më legjitime të nomenklaturës politike.

 

Diskutimi i kësaj përvoje në poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, në kontekstin e pasojave që ka shkaktuar në deformimin e natyrës së artit poetik, në deformimin e shijeve dhe në mosbesimin e sotëm të lexuesve ndaj poezisë, ende është i vështirë.  Në njërën anë janë vetë autorët që bëjnë avokati në favor të përvojës së vet, duke vu në spikamë rrethanat kritike në të cilat kajë krijuar leëtrsi, ndërsa në tjetrën kundërshtarët e tyre. Këta të dytët synojnë që diskutimin ta nxjerrin nga shtrati shkencor dhe ta shndërrojnë në mjet për krijimin e një pamjeje të re të vlerave të letërsisë shqipe, por me kritere poashtu ideologjike, ku të qenët disidentë, vetvetiu trajtohet si vlerë estetike. Kësisoj, ata duan që të mohojnë an bllok vlerat e poetëve që kanë shkruar siaps metodës së realizmit socialist, madje edhe në rastet kur kanë krijuar vlera të mirëfillta estetike.

 

Diskutimi i përvojës gati gjysmëshekullore të poezisë së realizmit socialist në letërsinë shqipe, besoj se është i rëndësishëm sepse hap një mundësi të rishikimit të vlerave e  antivlerave të saj, ku literariteti duket të jetë pala më e dëmtuar. Besoj se gjurmimi pas kësaj shkalle të dëmtimit, është pikënisja më korrekte e diskutimit. Pra, kjo metodologji studimi nuk ka të bëjë me autorët, as për mirë as për keq. Ata i kanë pasur arsyet e veta pse kanë shkruar ashtu, qoftë si një lloj vaksine imunizuese ndaj diktaturës, qoftë nga bindjet e tyre. Metodologjia që propozojmë ne ka të bëjë me poezinë konkrete, e cila inkuadrohet në “tabelën” e realizmit socialist, me kontekstin e saj social dhe me funksionin ideologjik po edhe estetik.

 

 Në poezinë shqipe në Kosovë, ka pasur një përvojë të realizmit socialist në vitet e pesëdhjeta, por ajo ia ka lëshuar hapësirën pluralizmit stilistik, që erdhi në kuadër të proceseve politike dhe letrare që ndodhën në ish Jugosllavi. Megjithatë, mbeti një përvojë e poezive përkushtime ndaj të rënëve partizanë dhe ndaj udhëheqësve politikë të kohës. Edhe këtu pati një aktivizim të diskursit ideologjik, në ndonjë rast me qëllim të imunizimit politik, e në raste të tjera edhe si bindje politike, ose si synim për përfitim politik të vetë autorëve. Në këtë kontekst, po edhe në përmasa më të gjera, mbetet  që të identifikohet dhe të vlerësohet  në të ardhmen shkalla e ndikimit të poezisë jugosllave mbi poezinë shqipe të Kosovës dhe pasojat e mundshme mbi identitetin estetik të saj.

 

Poezia shqipe e viteve të shtatëdhjeta në Kosovë duke ndërruar shtratin, faktikisht e shmangu realizmin socialist , përveç te rastet e disa poetëve, që mbetën të lidhur me poezinë e realizmit socialist, për shkak të motiveve ideologjike-patriotike, ose të  epigonizmit.



GJITHKAHNAJA E DRAMËS KOMBËTARE SI VËRTETËSI ARTISTIKE


Vëllimi poetik  Frutat bizare shpaloset si një kërkim poetik i vendosur pas kuptimeve kyçe për ekzistencën, duke e dhënë të qartë identitetin krijues të Basri Çapriqit.

Ky autor që nga vëllimi i parë "Ulli me dymijë unaza" është përfshirë në vorbullin e hulumtimit të të vërtetave që i ka parë si të rëndësishme dhe shqiptimit të tyre në formën e vërtetësisë artistike. Ideja themelore që u shqiptua në vëllimin e parë të tij ishte se ambienti jetësor e kombëtar ishin vlera sublime që participonin në integritetin shpirtëror të njeriut. Poezia "A vdiq humanizmi" e përfshirë në vëllimin "Në fund të verës", e paralajmëronte qartë dhe ashpër fillimin e një procesi të shpërbërjes së atyre vlerave e rrjedhimisht edhe fillimin e preokupimit të këtij autori me nyjat e disekuilibreve emocionale e shpirtërore të njeriut shqiptar. E fiksuar në vëllimin "Ma qet gjuhën" në kontekstin e të ndodhurave historike, dhe në një cep krejt tjetër të hapësirës shqiptare, në Çamëri, shprishja e ambientit jetësor e kombëtar, nuancohet si preokupim i vazhdueshëm intelektual e krijues i Basri Çapriqit. Në vëllimin "Frutat bizare" tash e shqipton më shumë në nivelin e stresit dhe të dramës personale.


Individi i shkëputur nga ambienti i vet jetësor e kulturor, shket nëpër baltën e anonimitetit, me identitet të deformuar e të përdhunuar. Poezia Ikja, që është në ballë të vëllimit, shpalos konfiguracionin e neurozës së individit me identitet të humbur në ambientin e huaj. Vargu i kësaj poezie është i ndërtuar ashtu që dalin të ngjizura çastet, idetë fikse ( gjysmëvargu:ja tash është momenti), përshkrimet, gjestet, duke e krijuar të plotë idenë e stresit, të frikës dhe të humbjes së identitetit. Poezia pasuese Dhoma ime në Londër, e detajizon edhe më tutje këtë rrezik depersonalizimi. Vargjet e fundit, me ndërtimin sintaksor të prozaizimit, shprehin situatën e individit të dërrmuar: në derën e mbetur hapur thehet drita dhe pamjet/e shumëfishuara të gjymtyrëve të mi në pasqyrat e montuara/që rrënojnë botën time të fshehur nga/ sheshi e nga turma/. Përmasat e depersonalizimit kanë arritur deri atje sa edhe gjymtyrët e trupit të duken të frikshme, dhe që ikja, fshehja të jetë e kotë, ngase procesi degjenerativ e bren integritetin edhe nga brenda. Njeriu i tillë nuk mund ta zgjidh dilemën se a është më mirë që deri sa të kthehet në Prishtinë, ta mashtrojë veten duke e mbajtur simbolin e rojes së shtëpisë, pra mbajtjen e fijeve të jetës të lidhura për traditën, apo një revolver të rrejshëm, për t'u mbrojtur nga e panjohura që është e barazvlefshme me atë që është e huaj, si ambient, si mënyrë jetese dhe si mendësi. (Frika fq.13) Vetmia është gjendje reale dhe psikike e rëndë që kërkon shpëtimin në klithmën :"dritaren lëre hapur", e cila përsëritet rrafsh 24 herë në 36 vargjet e poezisë me të njëjtin titull! Poezia Dhoma ime në Ulqin, është një rikthim në ambientin e parë dhe në vlerat sublime të tij, ku rrezaton figura e nënës me përgjërimin dhe përkushtimin e përjetshëm.


Është evidente se në këto poezi kanë një denduri fjalët: dera, dritarja, muri, shkallët, kopshti, pasqyrat, që bëhen qendra kuptimore që e figurojnë më fort mallin për ambientin familjar. Kjo do të thotë se është shumë intensive prejardhja emocionale e disa imazheve.


Gjendje stresante e disekuilibra të ndryshëm socialë, politikë e shpirtërorë që ndodhin në ambientin që ka fytyrën e atdheut, Basri Çapriqi ka shqiptuar në vargjet e tij edhe në këtë vëllim poetik. Retorika bastarde e hipokrite për lirinë e atyre që : ma sjellin lirinë në pjatë dhe thikën në tryezë/ ma marrin frymën kur u pëlcet lëvozhga dhe qetësia/, është burim i dëshpërimit dhe i rezignatës. Çrregullimet morale dhe shoqërore, humbja e gjasave për ta gëzuar jetën, pendesa për krimin, vrujojnë nëpër vargjet e poezive: Striptiz në Prishtinë, Vullneti i popullit, Vasha nga Lindja prostitutë në Romë, Portret gjaksi të falur, etj. Fenomenet sociale dhe politike të dhjetëvjetëshit të fundit janë kontekstet tematike të këtyre poezive, mirëpo ato nuk janë përshkruar, nuk është dhënë ndonjë kronologji a faktografi e tyre, duke e evituar atë rrezik që e parasheh Adorno kur thotë se ai që pledon për artin si fakt, e shndërron artin dhe ideologjinë në një gjë të vetme. Pikat tragjike dhe absurde të këtyre fenomeneve sociale dhe politike janë vështruar të përthyera në shpirtin e subjekteve. Drama e gjaksit që i hiqet ndëshkimi moral për krimin e bërë, fillon tek detaji më i paparashikueshëm: atij për të dalur nga ngujimi, i duhen blerë këpucët, ndërsa ai nuk e di sa duhet të jetë numri i tyre! Distiku: një mijë vjet këpucë s'kishte mbathur/ sa s'plasi e tha: 1990 numri ta zëmë/ e krijon figurën e spirales tragjike të gjakmarrjes e të ngujimit dhe e kontekstualizon një pikë kohore që merr të shënojë mbylljen e asaj spiraleje tragjike. Figura e gjaksit merr përmasa mitike; del nga humnera e mijëvjeçarit dhe e njëjtëson vitin e rifitimit të lirisë me numrin e këpucës. Është një prerje e fortë ndërmjet logjikës së ligjërimit të zakonshëm dhe logjikës së ligjërimit poetik, që i jep ngarkesë semantike dhe bukuri artistike kësaj poezie. Prostituta nga Lindja nuk është e detyruar të jetë anëtare e partisë së klientëve të saj dhe ky fakt përbën dallimin esencial ndërmjet lirisë dhe jolirisë. Vargjet: këtu qëndron dallimi esencial/ dhe pikë/ boona note/ fokusojnë epërsinë morale të saj dhe ironizimin që rezervon për të tjerët, që prapë ka të bëjë, në fakt, me një triumf të logjikës së ligjërimit poetik. Kjo është një prirje që i është afruar shndërrimit në parim krijues tek ky autor.


Basri Çapriqi e ruan shprehjen poetike nga intonimi triumfalist dhe nga retorika vulgare, duke iu përmbajtur asaj që ka thënë vetë për Shejmus Hinin: " Nuk ka forcë destruktive që e shtyn shkrimtarin fisnik të fjalës humane të militarizojë gjuhën si mjetin kryesor të ekzistimit të veprës artistike".  
Fati i ndriçuesve shpirtërorë të njerëzimit e të kombit ka gjetur një aktualizim të ri në vëllimin Frutat bizare. Prometheu do të mbijetojë luftën me zotrat po do t'i dalë punë tjetër: Ai do të çmendet kur të vdesin zotrat/ do të flakë zjarrin nga njerëzit e ndezur/ ashtu i zgjidhur do të na lë në të zeza/ dhe fëmijët me faqe gacë të djegura/ Kush i lexon sot këto vargje dhe nuk i ringjallet pamja e trishtueshme e njerëzve të djegur e të gjymtuar në vorbullin e rebelimit iracional në Shqipërinë e ditëve tona? Poeti trupëzon idenë poetike se janë helmet e hershme, është e keqja brenda njeriut që i shkakton Prometheut atë përsëritshmëri të fatit ndërmjet shpëtimtarit e të ndëshkuarit. Në poezinë Virusi i tërbimit, të botuar më 1986 tek vëllimi Në fund të verës, janë edhe këto vargje: Prof. Dr. Rifat Frashëri/ bëri një zbulim mikrobiologjik/ në mbarim të shekullit të kaluar/ në fillim të këtij shekulli/ konstatoi se njerëzit dhe kafshët/ tërbohen nga i njëjti virus/ zbulim yni origjinal/. Një përplotësim i kontekstit për prejardhjen endemike të destruksionit, të iracionalitetit dhe të prirjes për vetëshkatërrim. Poezitë Lasgush Poradeci, Vdekja e poetit (Mirko Gashit), dhe Lindja e poetit (Ali Musajt) janë shqiptime të dhimbjes për moskuptimin dhe mosvlerësimin ndaj ndriçuesve shpirtërorë. Është një ndërlidhje, një konstantë e moskuptimit.


Si për ta shpalosur edhe më fort këtë absurd, këtu janë përfshirë edhe poezitë “Punëtorët fizikë të komunales” dhe “Lëmi i argatëve”, ku mjerimi social, moskuptimet dhe padrejtësitë sociale rrotullohen si dhëmbëzorë të çrregulluar dhe me rrezikshmëri të lartë për fatet e shoqërisë dhe të kombit.     
Në vëllimin Frutat bizare Basri Çapriqi vazhdon të inkuadrojë në tekstin poetik një leksik dhe një sintagmatikë që vjen nga fusha e disiplina të ndryshme të realitetit të sotëm, të cilat nostalgjikëve të poezisë së pastër mund t'u duken të ashpra, trup i huaj në poezi. Nga kjo pikëpamje ai është një poet me prirje të fortë urbane. Bartjet e vargjeve në disa tekste poetike, që në planin sintaksor nganjëherë duken si proza poetike, e afirmon shumësinë e mundësive të leximit të tekstit, ballafaqimin dhe opozicionin e asociacioneve si dhe virtuozitetin shprehës të gjuhës poetike. Përsëritja e fjalëve, gjysmëvargjeve apo edhe vargjeve, inkuadrimi i fjalëve të urta në kontekste semantike ironizuese, krijon një shtresë të veçantë intonative e semantike, duke nuancuar ligjërimin e duke e rritur mundësinë e shpalosjes së kuptimeve poetike. Një ekzemplar i veçantë dhe antologjik i këtij fahu është poezia Sizifi.

Basri Çapriqi me këtë vëllim përfundimisht legjitimohet si kërkues i të vërtetave të përhershme të jetës kombëtare dhe si mjeshtër për kumtimin e tyre me një shprehje që e ka të mbrujtur në vete vërtetësinë artistike. Nganjëherë zbulimet e të vërtetave artistike të tij duken si të kishin qenë aty pranë syrit e mendjes sonë. Pikërisht ashtu siç thotë Lotman: "Në tekstin e mirë çdo gjë perceptohet si të jetë krijuar ad hoc".


Prapa kësaj përshtypjeje që lë teksti tek lexuesi, mbetet gjithkahnaja e dramës kombëtare e njerëzore, puna e mundimshme për shqiptimin e saj dhe dilemat e përhershme të poetit.


Për hir të tyre, gjithmonë ia vlen të shkohet më tej.




PERSE MENDOHEN KETO MALE - Ismail KADARE

 


Heroika dhe tragjika - një zemëratë rrënuese
Poema "Përse mendohen këto male", me simbolikën dhe me idetë e veta, ka ushtruar një ndikim të ndieshëm në mendimin e lexuesve të vet, veçmas në Kosovë. Ndoshta më shumë se disa vepra edhe më të rëndësishme të autorit. Edhe për shkak të këtij komunikimi me shkallë të lartë, ndoshta do të ishte e dobishme që autori t'i rikthehej (nëse nuk i është rikthyer tashmë, sikundër ka bërë me shumë vepra të tij), dhe të bëjë një rikompozim të ri të disa elementeve të saj moralë dhe ideologjikë e rrjedhimisht edhe estetikë.

Mbijetesa shqiptare nëpër humnerat e historisë, duke qenë njëra nga shtyllat më të forta të tematikës së letërsisë shqipe, ka ushtruar një ndikim jo të pakët për krijimin e një ideje të reagimit dhe të vetëpërcaktimit të njeriut shqiptar. Sipas këtij vetëpërcaktimi, edhe njeriu me nëntë plagë në trup ( Gjergj Elez Alia), e mund armikun dhe lë pas vetes kujtimin e një figure heroike e tragjike njëherësh. Pikërisht kjo simbiozë e heroikes dhe e tragjikës, që shpalos një vetëëprcaktim shqiptar, është bosht tematik dhe ideor i poemës "Përse mendohen këto male" të Ismail Kadaresë. Kjo poemë mund të mirret si një shembull i krijimit të një vepre shenjuese të mbijetesës, me një ngjizje të heroikës dhe të tragjikës shqiptare.

Një intonim i fuqishëm psikologjik

Poemën "Përse mendohen këto male" Ismail Kadare e shkroi në vitet 1962-64, që ishin vite të përshkuara nga vetizolimi ekstrem i Shqipërisë, nga kërcënimet e jashtme dhe nga glorifikimet ideologjike të vetizolimit. Por, duket se rrënimi i brendshëm i Shqipërisë kishte filluar të jipte shenja alarmante, aq sa poeti ndiente nevojë që të rikonfirmojë edhe një herë fuqinë e mbijetesës shqiptare. Edhe pse Kadare nuk i referohet në mënyrë eksplicite kohës aktuale dhe vetizolimit aktual, është evidente se aty është konteksti i frymëzimit/ shqetësimit, prej nga poeti del subjekt aktiv, një dëshmitar dhe një pjesëmarrës në atë lëvizje dëshmuese të mbijetesës:

Vrapon hija e pushkës

Pret male, fusha, fshatra,

Hija e tytës lëviz shpejt në muzg.

Eci dhe unë në një pllajë të pjerrët

Me një mendim në kokë

Diku.

Një poet i vetmuar, "në një pllajë të pjerrët", i preokupuar me pamjen gjigante të hijes së  pushkës,  (Hija e mendimit dhe hija e pushkës/ Kryqëzohen e përplasen në muzg), vetë shndërrohet në një protagonist të  izolimit dhe të meditimit për enigmat e fatit. "Hija e mendimit", e cila kryqëzohet me hijen  e pushkës, është ndërgjegjësimi/vetëëprcaktimi autorial, i cili u  huazohet maleve, që ato të mendojnë për fatet e veta dhe të banorëve të vet. Ajo vetmi dhe ai muzg, janë ambienti i një introspeksioni dramatik për kohët e kaluara dhe fatet e ardhshme. Më duket se kapja e këtyre dy elementeve, vetmisë dhe muzgut, ka bërë që teksti poetik të ketë një intonim të fuqishëm psikologjik.Ndërsa, pushka është figura qendrore e poemës dhe boshti i ideve të poetit për vetëpërcaktimin e njeriut shqiptar nëpër shekuj:

Kështu ke ecur gjithmonë, Shqipëri,

Me këmbët e gjata,

Me një pushkë të gjatë,

Ecje dhe s'dije ku veje ti.

Pushka është shëmbëllim i gjymtyrëve, një gjymtyrë faktike, në të cilën është mbështetur Shqipëria, për të qëndruar në këmbë. Më tej, pushka është edhe vlerë e ripërtëritjes, e barazvlershme me ripërtëritjen biologjike të njeriut shqiptar, e krahasuar me gruan:

Se gruaja lindte fëmijë,

Por pushka lindte krisma,

Dhe për shqiptarin ishin

Po aq të shtrenjta të dyja:

Dhe krisma dhe fëmija.

Në shpalosjen e një introspeksioni dramatik të fateve kombëtare, me një intonim të fuqishëm emotiv, pushka figurohet edhe si njësi matëse e tokës së atdheut, si leva e Arkimedit, si vazhdim i shtyllës vertebrore, si fat mbi shpinë të njeriut shqiptar. Është një seri e argumentimit të fuqisë së mbijetesës, e koncentruar nëpër shumë vargje, me një ngulmim imponues.    

Por, si gjithnjë fati ka me vete edhe fatkeqësinë. Pushka i hante njeriut edhe yndyrën e pakët, po i shkurtonte jetën, gjë që është me anën e një figure mbresëlënëse  në vargjet ( Më të gjatë shtatin ia bënte pushka,/ Megjithëse shpesh jetën më të shkurtër ia bënte./

Akuza ndaj historisë

Introspeksioni  i dominuar nga ndjenja të rrëmbyeshme, zbulon armiqtë e simbolit shqiptar të rezistencës dhe të mbijetesës, edhe atje ku nuk mund të kërkohen racionalisht. Në një atmosferë tjetër poetike, poeti mbase do të kërkonte fndryshkjen e mjetit të vrasjes, (pushkës), por i rrëmbyer nga ideja e heroikes, në një ligjërim për vetëpërcaktimin kombëtar, ai akuzon ata që nuk kanë predikuar përdorimin e pushkës:

Dhe fjalët latinisht dhe fjalët arabisht

Mbi tytën e pushkës  binin si ndryshk.     

Dhe jo vetëm fjalët latinisht e  arabisht shenjohen si elementë të përgjumjes, të kllapisë e të mashtrimit. "Ca poetë" që shkruanin për zanat e shtojzovallet, për bjeshkët epike, Kadare i sheh si përgjumës dhe mashtrues, mbase duke mënjanuar për një çast faktin se pikërisht në kohëra dëshpërimesh të rënda, poetët hymnizojnë të kaluarën, përpiqen që përmes saj të ngjallin te njerëzit krenarinë dhe ndërgjegjësimin. (Poetët romantikë dhe postromantikë nuk mund të bënin ndryshe as në Shqipërinë e mbytur në mjerim  e vuajtje.)          

Mollokët e zemërimit dhe të fajësimit përplasen edhe për Pallatin e  mbretit, për shtetin, për jetën mondane, për mitet, për tërë historinë. Është një zemëratë rrënuese, që sfidon gjithçka, në përpunimin e idesë shpëtimtare, e cila vjen në formën e një shpëtimtari, (Partinë Komuniste), megjithëse në tërë intonimin e poemës, duket si një shartim disi i panatyrshëm.

Më duket se edhe ndarja e poemës në 24 njësi, më shumë se si konstruksion artistik, është bërë për të strukturuar idetë autoriale për rendin e defekteve të vlerave dhe të historisë kombëtare, për numërimin e armiqve të Shqipërisë, duke i theksuar veç e veç. Ndarja në njësi të vogla, pa një rend kronologjik motivor ndërmejt tyre, e bën konstruksionin artistik të poemës që të jetë i brishtë, aq sa disa nga njësitë mund të funksionojnë edhe si poezi më vete. Ligjërimin me emocione të forta Kadare e ka materializuar me një varg të larmishëm, që materializon oscilimet tematike dhe të ideve poetike. Është një varg i lirë, i mbushur me interpunksion, si për të sugjeruar një të folur me ngulçe. Në pjesën dërrmuese të poemës vargjet shtrihen në gjerësi  narrative:

Dhe Shqipëria prapë strukej në kasolle,

Në netët e saj të zeza mitologjike:

Në ca tela lahute kërkonte të thoshte diçka

Nga shpirti i pakuptueshëm i saj.

Mirëpo, ka edhe njësi  ku ndodh reduktimi i vargut, kapja e detajit:

Dhe përmbi trup,

Si shtesë  e hekurt,

I rritej e zezë

Pushka e gjatë.  

Një çast i shkurtër dhe një histori e gjatë

Pozicioni kohor fiksohet që në vargun e dytë të poemës: "Ndërsa dielli tutje perëndon në xhade?" dhe poema mbyllet me vargun që sërish e fikson gati të njëjtën kohë: "Ndërsa muzgu po bie tutje në xhade". Pra, është një kohë fare e shkurtër, kohë nga një perëndim dielli në një muzg po në të njëjtën xhade, ndërsa në mes është introspeksioni për historinë e gjatë, heroike dhe tragjike  të atdheut, me një zemëratë rrënuese.

Poema "Përse mendohen këto male", me simbolikën dhe me idetë e veta, ka ushtruar një ndikim të ndieshëm në mendimin e lexuesve të vet, veçmas në Kosovë. Ndoshta më shumë se disa vepra edhe më të rëndësishme të autorit. Edhe për shkak të këtij komunikimi me shkallë të lartë, ndoshta do të ishte e dobishme që autori t'i rikthehej (nëse nuk i është rikthyer tashmë, sikundër ka bërë me shumë veprat të tij), dhe të bëjë një rikompozim të ri të disa elementeve të saj moralë dhe ideologjikë e rrjedhimisht edhe estetikë.



Vepra e Gjergj Fishtës e Rizbuluar



Lahuta e malcis e Gjergj Fishtës, e përbërë nga 15612 vargje, të organizuara në tridhjetë njësi të veçanta, të cilat autori i quan kangë, përshkohet tejembanë nga rima si element i qartë dhe i theksueshëm i strukurës artistike të saj. Vështrimi i funksionit të rimës ndaras nga ritmi, nga intonacioni dhe nga eufonia e vargut, sikundër veprohet kësaj radhe në këtë kumtesë, mund të bëhet vetëm kushtimisht, sepse këto elemente të strukturës artistike të tekstit poetik janë gjithnjë të mpleksura, duke futur në trupin e njësisë ritmike vazhdimisht skemat e ndryshme të përsëritshmërive, kundërshtitë dhe plotësimet e tyre, të cilat janë fijet e semantikës poetike dhe të përjetimit estetik të tekstit. Në veprën Lahuta e malcis, rima është një element më fort i identifikueshëm dhe më veprues në konstruksionin artistik dhe semantik të saj, prandaj, kujtojmë se funksioni i saj mund të bëhet objekt analize dhe vlerësimi, pa cënuar integritetin e elementeve të tjerë artistikë.


Aplikimi i rimës në këtë vepër poetike kaq voluminoze, e ka të deshifrueshëm fillim e mbarim synimin e autorit që ta bëjë sa më funksional monumentalitetin artistik të kryeveprës së vet. Monumentalitetit të Lahutës së malcis në planin e tematikës, në planin e ideve, në planin e ndërtimit dhe të funksionimit estetik, i përgjigjet edhe përfundimi kumbues i vargut dhe koncentrimi jashtëzakonisht i madh i kuptimeve poetike në vargjet e rimuara.


Ndoshta nuk duhet përkujtuar se rima përveç funksionit tingullor, ka funksion semantik, i cili është edhe funksioni parësor i saj, sepse sikundër na e pohon Lotman, në artin, i cili e përdor gjuhën si material, është e pamundur të ndahet tingulli nga kuptimi*. Po ky autor thotë se tingullimi muzikal i rimës është prodhim jo vetëm i fonetikës por edhe i semantikës së fjalës, punë që shihet qartë në rastet e rimave homonimike dhe të rimave tautologjike, ku këto të dytat karakterizohen edhe nga varfëria tingullore në krahasim me të parat.


Gjergj Fishta e krijoi Lahutën e malcis me aspiratën krijuese që t'u dhuronte bashkëkombasve të tij një vepër që do të ishte burim i pashterrshëm i atdhedashurisë dhe i mbrojtjes së identitetit kombëtar, të integritetit kulturor e moral dhe të lirisë kombëtare si shkalla supreme e realizimit të jetës së kombit.


Përderisa në planin qytetar e njerëzor ai u udhëhoq nga dashuria e madhe për atdheun, për gjuhën dhe për kombin, në planin krijues ai u udhëhoq nga frymëzimi i fuqishëm, çka shqiptohet qartë në vargjet:


" se pa ty, besa, moj Zanë,/vështirë se' i fjalë un mujë m'e thanë"* .


E frymëzuar nga provinienca e zanws sw malit, vepra s'ka si të mos e synojë plotninë dhe përsosmërinë. Shqiptimi sa më i fortë i ideve atdhetare dhe modelimi sa më i bukur artistik i tyre, janë dy koordinatat ku shpaloset dhe ku rrezaton aspirata krijuese e Fishtës, e shqiptuar përjetësisht në veprën Lahuta e malcis.


Funksioni i rimës si element i strukturës tërësore artistike, në këtë kontekst, fiton legjitimitetin konceptual dhe estetik. Rima në veprën Lahuta e malcis është përdorur në kombinime të ndryshme dhe kjo është bërë për të rritur larminë tingullore e semantike dhe për të evituar rrezikun e automatizmit. Nga vështrimi tërësor i kombinimeve të saj, shihet se dominon rima e puthur. Ky kombinim aplikohet në vargjet ku zhvillohet naracioni poetik, pra, ku spikat më shumë paraqitja e aksioneve, e veprimeve të heronjve të veprës. Rima e puthur jep mundësi më të madhe të zhvillohet ligjërimi poetik pa ndërhyrje dhe pa komente, të cilat vërehen më shumë aty ku aplikohet rima e alternuar. Në aplikimin e rimës së puthur, vërehen afri të vargut të Lahutës së malcis me modelin e këngës popullore historike, e cila kryesisht është e krijuar në tetërrokësh dhe kryesisht në rima të puthura. Vetë lënda që trajtohet në veprën Lahuta e malcis, (e marrë nga historia e re shqiptare për të cilën janë krijuar një numër i madh këngësh popullore historike) dhe synimi i autorit që vepra e tij të komunikojë e të ndikojë në sa më shumë recepientë (lexues e dëgjues), e ka kërkuar aplikimin e rimës së puthur në pjesën më të madhe të veprës. Edhe fillimi i saj është në këtë skemë:


Ndihmo, Zot, si m' ke ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
çëse të buk' rën ketë Shqipni
Turku e mbate në robni*


Fishta bën ndërrime të shpeshta të rimave femërore e mashkullore në rastet e rimave të puthura dhe ka një arsenal jashtëzakonisht të pasur leksikor që parakalon në pozicion fundor të vargjeve. Duke qenë bazamenti tematik i veprës gjakimi i lirisë kombëtare dhe flijimi për pavarësinë e atdheut në luftëra me armiqtë, është e qartë se shqiptohet përplasja e ashpër ndërmjet idealit të lirisë (flijimit për të) dhe realitetit të ashpër jetësor e historik. Këtë vijë të përgjithshme e shquan edhe rima. Fjalët e gjendura në pozicion rime, kur janë të tilla që si fenomene gjuhësore nuk kanë lidhje ndërmjet tyre, pra, semantikisht janë divergjente, ato në varg krijojnë rreze më të madhe semantike, sepse shpalosin hapësira të reja, herë jashtëtekstore, herë tekstore, po gjithnjë me mundësi më të mëdha të përjetimit estetik. Ja një shembull:


un Shqiptar ata janë Shkje:
ne na danë nji gjak e' i fe;
n'mëni t'sho'shoqit kemi le:
kemë ndërmjet nji qiellë e'i dhe!...*


Emërtimi i identiteve nacionale të veçanta, më tej evidencimi i dallimeve dhe konstatimi i papajtueshmnërisë supreme, fiksohen edhe në fjalët që rimohen:/Shkje; fe; le; dhe/, të cilat si fenomene gjuhësore janë divergjente por në këto vargje krijojnë një tërësi tingullore e semantike jashtëzakonisht të fuqishme.


Rimat si: vëllau/Shkjau, mizore/gratçore, Vranina/Cetina, Shqiptarit/Gospodarit, tagana/nana, rrfesë/kresë, rreziku/miku, Shqipni/Turki, t'zi/liri,etj, korelacionin semantik e krijojnë në ballafaqim të ndryshimeve kuptimore që kanë në sferën e gjuhës konvencionale fjalët që rimohen. Mirëpo, ligjërimi poetik që synon përshkrimet sa më të detajuara, s'ka si të evitojë edhe krijimin e rimave nga fjalë që semantikisht janë mjaft konvergjente si bie fjala: vetimë/bubullimë, Kosovë/Gjakovë, nama/gjama, robni/zi, vorrue/pushue, shkretë/mbetë, Xhemjetit/Mbretit, etj. Një balansim i këtyre rrymimeve është tipar i dallueshëm në të gjithë Lahutën e malcis.


Në raste më të rralla rima e puthur shndërrohet në rimë-kolonë ,duke unifikuar ritmin dhe kuptimin poetik, ndonjëherë deri në kufirin ku nxjerrë krye mundësia e parashikimit të zhvillimit të rimës. Për shembull:


Hej, moj Zanë,ty t'kjosha true,
si s'po t'bjen ndër mend për mue,
punë të hershme me m'kumtue,
kangë e valle me m'fillue;
por më rrin tue fluturue
mollë më mollë e ftue në ftue
me ato shoqe tue këndue,
me ato shoqe tue vallzue,
tue vallzue, moj, tue lodrue*


Rima e alternuar aplikohet më rrallë, por duke pasur parasysh vëllimin e Lahutës së malcis, ajo kap një numër shumë të madh vargjesh. Përveç në funksion të evitimit të automatizmit, rima e alternuar është esencialisht në funksion të nuancimit të ndjenjave, të ideve dhe të qëndrimit të subjektit krijues. Ja një shembull që është krejt emblematik në favor të këtij konstatimi:


Po a kujton, mori gabele,
se Shqiptarët kanë dalun fare,
qi me ardhë Knjazi, me' i kalë zhele,
për t'sunduem mbi tokë shqiptare?*


Konflikti i shqiptarëve dhe i malazezve është përplasur edhe ndërmjet zanave. Zana shqiptare e Vizitorit e mund Zanën malazeze të Durmitorit (kjo na kujton përplasjen ndërmjet perëndive të Olimpit gjatë luftës ndërmjet akejve e trojanëve) dhe Fishta shqipton fjalët e Zanës shqiptare në atë konflikt me emocionet, me ironinë dhe me krenarinë e tij transparente.


Ia vlen të përmendet këtu se në vëllimin Mrizi i zanave, rima e alternuar ka aplikim shumë më të gjerë si në poezitë: Shqypnija, Gjuha shqype, Atdheut, 28 Nanduer 1913, Nji gjamë desprimit, Gurrave të Jordanit (ku përdoret strofa safike), etj.,çka edhe vërteton afinitetin e autorit për këtë skemë në rastet e theksimit të ndjenjave, ideve dhe qëndrimeve të tij.


Nga vështrimi tërësor (megjithëse jo statistikor) i rimarit të Lahutës së malcis, shohim se në pozicion të fjalëve të rimuara më me shumicë janë fjalët emra. Fishta është poet epik që e shtrin ligjërimin e vet në gjerësi dhe që di të theksojë emra heronjsh, toponime, dukuri, të cilat duke u vënë në pozicion ku krijojnë korelacione me fjalë të tjera, theksohen më shumë dhe bëhen qendra të theksimit të ideve e të kuptimeve poetike. Theksimi i emrave të heronjve dhe veprimeve të tyre me ndikesë në fatet njerëzore po edhe të natyrës, i jep kumbim dhe dramacitet vargut poetik. Për shembull:


pse me gjasë, ke dridhet suka,
asht tue ardhë tash Oso Kuka.*


Rimari i Lahutës së malcis është jashtëzakonisht i pasur dhe e shpalos individualitetin dhe origjinalitetin e veprës dhe të autorit. Ka çifte fjalësh që përsëriten në pozicionime rimash nga disa herë dhe në kontekste të ndryshme, duke na dhënë dorë të hetojmë veçantinë e gjuhës poetike të Fishtës në nivelin leksikor dhe figurativ. Fjalët dhe sintagmat si:zhari, vigma, çeta-çeta, rrfe mizore, lekët, re mizore, t'bardhën Fe, zogu i shkinës, si kokrrat n'shegë, etj., marrin funksionin e poetizmave, pra, të gjuhës poetike që e legjitimon ligjërimin poetik fishtian.


Sa i përket rimës dhe funksionit të saj të paramenduar e të realizuar tek Lahuta e malcis, do të ishte me interes të madh krahasimi i varianteve që ka krijuar autori, sepse aty do të shiheshin qortimet dhe motivet që i kanë nxitur ato, ku pa dyshim do të jetë marrë gjithmonë në konsideratë, krahas ritmit dhe skemës metrike, rima si element i konstruksionit artistik të veprës.


Të përkujtojmë këtu se në disa fragmente të njësive të ndryshme të Lahutës së malcis, Fishta e eliminon krejtësisht rimën, duke iu afruar në ato raste më shumë intonacionit dhe ritmit të këngëve tona kreshnike, për të cilat Gjergj Zheji me të drejtë ka konstatuar se janë në arealin e vargëzimit tonik. Në ato fragmente (letra e carit të Rusisë knjaz Nikollës, kënga e Kaçel Dodës, letra e krerëve shqiptarë të shtatë krajlave dhe mbretit të Stambollës, dyluftimi i Prelës me Vasilin,) vijnë e dalin në plan të parë intonacioni dhe ritmi, duke afirmuar ashtu rrezatime edhe më të mëdha estetike të veprës. Rikthimi i rimës pastaj, kombinimet e ndryshme të saj, pasuria leksikore e fjalëve të rimuara, tingullimi dhe rrezatimi semantik që prodhojnë, ia krijojnë rimës në këtë vepër statusin e kodit rregullues të vargut dhe të njërit nga elementët fundamentalë të strukturës artistike.

 

 

 
 
 
 
 
 
 
   
  person(s) online RIGHT NOW!!!
 
 
Copyright ©2009 - WwW.Kumanovari-oo1.Tk This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free